Ditën e hënë, datë 17 Maj 2021, Prefekti i Qarkut Tiranë z. Mersin Murataj, në cilësinë e kryetarit zhvilloi takimin e parë të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit në Golem, Kavajë. Në takim ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu, kryetari i bashkisë Kavajë z.Redian Krajli, kryetari i bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla, si dhe përfaqësues të strukturave vendore përgjegjëse për turizmin. Qëllimi i këtij takimi ishte trajtimi i çështjeve të përbashkëta që kanë të bëjnë me menaxhimin me sukses të sezonit të ri turistik 2021. Gjatë fjalimit , Prefekti i Qarkut Tiranë kërkoi angazhimin maksimal të të gjithë strukturave përgjegjëse për mbarëvajtjen e një sezoni turistik sa më të suksesshëm për turistët. Ministria e Shëndetësisë, prezente në kuadër të nisjes së vaksinimit të operatorëve të hoteleri-turizmit, theksoi faktin se një hallkë e rëndësishme për mbarëvajtjen e këtij sezoni është edhe përfundimi me sukses i këtij proçesi që do të kontribuoj në rimëkëmbjen e ekonomisë. Gjithashtu, Ministri Klosi kërkoi angazhim maksimal të të gjithë aktorëve për sa i përket punës përgatitore në marrjen e masave për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik përfshirë këtu: menaxhimin e mbetjeve, menaxhimin e zhurmave, ruajtjen e rendit dhe sigurisë me vëmendje të shtuar në plazhe, kryerjen e shërbimit shëndetësor, furnizimin me ujë të pijshëm, energji elektrike, dhe mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin etj ”. Në përfundim të takimit, në zbatim të detyrës së lënë nga Ministri i Turizmi dhe Mjedisit , u zhvillua një aksion pastrimi përgjatë vijës bregdetare në Golem, në zonën e përcaktuar si plazh publik nga Murrizi deri tek Miami. Nëpërmjet realizimit të këtyre aksioneve do të synohet ndërgjegjësimi i komunitetit dhe pushuesve për mbajtjen pastër të mjedisit.