Ditën e sotme, datë 19 Maj në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Tiranë u mblodh Komisioni i Mbrojtjes Civile të Qarkut Tiranë me objekt bashkërendimin e veprimtarisë së institucioneve në nivel Vendor për planifikimin dhe përballimin e emergjencave të mundshme në sezonin pranverë–verë 2021. Prefekti i Qarkut Tiranë, Z.Mersin Murataj, në cilësinë edhe të kryetarit të këtij komisioni u ndal te problematikat e krijuara gjatë mosrakordimit të veprimeve ndërinstitucionale në rastet e rënies së zjarreve, duke kërkuar funksionimin e skemave të lajmërimit si dhe rifreskimin e kapaciteteteve njerëzore. Në këtë takim u diskutuan:
– Ndjekja në kohë reale të situatës së zjarreve.
– Masat mbrojtëse dhe parandaluese për emergjencat sezonale.
– Përditësimi i planeve të reagimit dhe të njoftimit në kohë reale.
– Masat përgatitore, gatishmëria e personelit dhe mjeteve te nevojshme.
– Rreziqet e mundshme në pyje dhe kullota, pranë zonave të banuar.
– Parapërgatitja, sensibilizimi i strukturave dhe opinionit publik.
Gjithashtu u shtrua problemi i efikasitetit të grupeve vullnetare të cilët duhet të jenë të riorganizuar në bazë njësish administrative dhe fshatrash. Më tej e morën fjalën anëtarët e këtij komisioni të cilët sollën problematikat e konstatuara në zonat e tyre duke raportuar për masat e marra deri tani. Në fund të takimit u la detyrë të ndiqet me vëmendje situata dhe të rifreskohen planet e masave për stinën e verës në çdo njësi dhe drejtori institucionale apo biznese privatë.