28-Nëntor Festa Kombëtare e Pavarësisë
November 28, 2017
Mbledhje e shtabit të emergjencave civile të qarkut Tiranë
November 30, 2017

29-Nëntori Dita e Çlirimit

Bazuar në Ceremonialin Shtetëror të Republikës së Shqipërisë në nderim të Ditës së Clirimit, në datë 29.11.2017 znj.Prefekte ishte pjesëmarrse në ceremonin e homazheve zhvilluar tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në respekt të kësaj dite të shënuar znj.Prefekte kishte përgatitur një fjalë të rastit;

I nderuar zoti President i Republikës

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

I nderuar zoti Kryeministër,

Të dashur Veteranë

Të nderuar Deputetë, Ambasadorë

Zonja dhe zotërinj,       

Jemi këtu për të përkujtuar 29 Nëntorin, këtë ditë të shënuar të historisë tonë kur 73 vite më parë forcat partizane përzunë okupatorin e fundit nazifashist nga Shqipëria.

Ndaj sot ndihemi të përulur para atyre që na radhitën si fitimtarë në luftën kundër një prej ushtrive më të forta në botë, me armatimin më modern në dispozicion. Dhe kjo falë sakrificës sublime të djemve dhe vajzave të këtij populli që vunë idealin e lirisë së atdheut përpara jetës së tyre.

Një përshëndetje shkon sot për veteranët që falë radhitjes së tyre në krahun e duhur, Shqipëria u rreshtua mes vendeve fituese të kualicionit botëror antifashist.

Ajo çfarë ju bëri të rrezikonit jetën, çfarë ju frymëzoi në ato ditë të vështira ishte ideali, besimi, besnikëria dhe dashuria për atdheun. Ne ndodhemi sot në altarin e lirisë ku prehen dëshmorët e atdheut. Ka disa gjëra për të cilat ia vlen të vdesësh. Një prej tyre është liria e atdheut. Dhe ata djem e vajza në lulen e rinisë e ëndërronin lirinë e Shqipërisë. Ata luftuan kundër tiranisë, për një të ardhme më të mirë për vendin tonë.

 

Por fatkeqësisht e vërteta është se shumë nga idealet e çlirimtarëve të vitit 1944 u nëpërkëmbën. Liria dhe demokracia u zëvendësuan me një nga diktaturat më të egra që njohu bota moderne. U mohua prejardhja e natyrshme evropiane dhe iu bashkuam Lindjes. Kështu, u keqpërdor gjaku dhe sakrifica e të gjithë atyre shqiptarëve të mirë që ranë në fushën e betejës për një atdhe më të mirë.

 

Aleatët tanë të sotëm, që i rigjetëm pas disa dekadash ndarje të sforcuar, nuk do të na kishin radhitur mes tyre, nëse më 29 nëntor 1944 Shqipëria nuk do të ishte çliruar nga bijtë e saj.

 

Dhe shqiptarët nuk e lënë asnjëherë veten të bien në lojën e historisë pa qenë në anën e së mirës. Sot ne jemi rikthyer te aleatët e dikurshëm. Ashtu natyrshëm sikurse ishte vullneti i popullit tonë edhe 73 vite më parë. Shqipëria është një anëtare e denjë e NATO, Aleancës më të fuqishme të demokracive në botë. Forcat tona të Armatosura kanë valëvitur flamurin kuqezi në të gjitha krizat ku vlerat e  lirive dhe të drejtave të njeriut janë nëpërkëmbur. Ushtarakët tanë sot, me idealin e lirisë dhe demokracisë kanë luftuar përkrah aleatëve tanë për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar.

 

Ju faleminderit dhe ta gëzojmë Ditën e Çlirimit.

Comments are closed.