“I nderuar Zoti President,
E nderuar Zonja Nënkryetare e Kuvendit,
Të nderuar Zëvendësministra, Deputetë, Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike,
Të dashur përfaqësues të familjeve të dëshmorëve,
Të nderuar veteran dhe veterane të Luftës Antifashiste- Nacionalclirimtare,
Të nderuar qytetar të Pezës dhe pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria.
Është nder dhe privilegj për mua, që të jem sot këtu me ju dhe në emër të Prefekturës së Tiranës t’ju uroj: Gëzuar 75-vjetorin e Konferencës së Pezës! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata, që me veprën dhe sakrificën e tyre e kthyen Pezën në një simbol të bashkimit në luftën për liri! Ky pelegrinazh historik është nderim për të shkuarën dhe frymëzim për të ardhmen! Ashtu si 75 vjet më parë, kur pa dallim feje, krahine dhe ideje, u mblodhën përfaqësuesit e rezistencës Antifashiste-Nacionalclirimtare, edhe ne sot, pa dallim feje, krahine dhe ideje, jemi këtu bashkë duke nderuar veprën e pezakëve, veprën e popullit të Tiranës dhe gjithë shqiptarëve, të cilët me 16 Shtator 1942 iu bënë strehë dhe mbrojtje asaj Konference të paharruar!
Babë Myslimi dhe ceta e tij u bënë pishtar i pashuar në kohën e errët të pushtimit duke u bërë frymëzim për rininë e asaj kohe që të ngrihej në rezistencë dhe në beteja kundër pushtimit nazi-fashist. Ky pishtar që ndriconte Pezën, u bë simbol bashkimi për të gjithë ata që bashkoheshin me idealet e lirisë dhe rezistencës pa kompromis. Vetë Peza, më 16 Shtator 1942 u kthye në një sofër të madhe për gjithë patriotët dhe forcat përparimtare të kohës, të cilët bashkuan zemrat, mendjet dhe forcat pa dallim krahine, feje dhe ideje në luftë për liri.
Konferenca e Pezës shënoi një hap të madh përpara në historinë e rezistencës së Shqipërisë dhe në bashkimin e shqiptarëve, sipas modeleve më të mira që sillte historia jonë, si është Kuvendi i Princave në Lezhë apo Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Më 16 Shtator 1942, nga kjo kullë, nga kjo vatër patriotike u projektua aleanca e Shqipërisë me koalicionin e lirisë së asaj kohe, me Britaninë e Madhe, me Amerikën, etj në një ballafaqim të pabarabartë kundër pushtuesit. Sot, ne jemi përsëri me të njëjtët aleatë të mëdhenj të koalicionit të lirisë, në përpjekje për të ruajtur rendin, qetësinë, lirinë dhe demokracinë nga sulmet e terrorizmit dhe kërcënimet e tjera që na bëhen ne dhe kombeve perëndimore. Koha tregoi se koalicioni më i mirë është koalicioni me luftëtarët e lirisë dhe me kombet e lira, prandaj ne sot përkulemi me nderim të thellë para veprës dhe sakrificës së gjithë atyre që derdhën gjakun e tyre për lirinë tonë, për një Shqipëri europiane dhe demokratike.