Peza dhe Konferenca e Pezës, janë një gur i cmuar në historinë tonë kombëtare dhe sot, pavarësisht se kanë kaluar 75 vjet, ne, brezat e rinj, kemi cfarë të mësojmë nga mesazhet që përcjell kjo ngjarje madhore. Vec të tjerash, Konferenca e Pezës na mëson se aty ku ka robëri, duhet luftë për liri, aty ku ka përcarje, duhet inkurajim për bashkim, aty ku ka dallime, duhet unifikim, aty ku ka mosmarrëveshje, duhet dialog!
Historia që pasoi këtë Konferencë, na mëson, gjithashtu se e drejta dhe e vërteta kurrë nuk mund të fshihen, pavarësisht keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve, që ndoshta bëhen për një periudhë të shkurtër. Prandaj, sot, jo vetëm ata që ishin anëtarë të Konferencës së Pezës, mbështetës dhe ndihmës të saj, por edhe pasardhësit e tyre, familjarët e tyre, që sot janë këtu, duhet të jenë krenarë për kontributin e të parëve të tyre. Sot pas 75 viteve, kur Shqipëria ka kaluar nëpër disa turbullira dhe përpjekje për demokraci, mund të themi se roli dhe rëndësia e Konferencës së Pezës ka dalë në dritë si duhet.
Rrënjët e fuqisë dhe pushtetit të Babë Myslimit dhe cetës së tij heroike, përvec të tjerash, ishin te marrëdhëniet e vecanta që ai kishte krijuar me pezakët dhe me banorët e zonave përreth. Përkushtimi, vëmendja, thjeshtësia, sinqeriteti, fjala e mbajtur, sakrifica dhe solidariteti ndaj atyre që e rrethonin në kohë lufte dhe në kohe paqeje, e bënë Myslim Pezën jo vetëm një tribun të vegjëlisë, por edhe një lider shembullor në shërbim të popullit dhe interesave të tij.
Ndaj edhe ne sot, duke nderuar këtë ditë, duke nderuar figurat tona historike dhe vetë historinë e cmuar të kombit tonë, frymëzohemi dhe motivohemi për të punuar vazhdimisht në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, pa bërë kompromis me asgjë që cënon parimet e lirisë, demokracisë, barazisë dhe vëllazërizë, për të cilat brezat e mëparshëm sakrifikuan.
Rroftë Konferenca e Pezës dhe lavdi Dëshmorëve të Kombit!”