Prefekti i Qarkut Tiranë znj.Suzana Jahollari mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të Ditës së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku u mirëprit nga Ambasadori i Republikës Kosovës z.Nait Hasani dhe konsulli z.Halim Krasniqi. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zevendës ministri i mbrojtjes z.Petro Koçi, nënkryetari i Bashkisë Tiranë z.Andi Seferi si dhe shumë veteranë të luftës e qytetarë nga shoqëria civile të cilët erdhën në nderim të heroit Adem Jashari dhe familjes së tij. Në fjalën e saj përshëndetëse znj.Jahollari shprehu mirënjohjen e saj për simbolin e pavarësisë së Kosovës Adem Jasharin, familjen e tij të nderuar si dhe për gjithë ato burra e gra të cilët dhanë jetën që Kosova të jetë e lirë. Sot, Shqipëria dhe Kosova ecin paralelisht në ëndrrën e kahershme për zhvillim ekonomik dhe integrim në familjen e madhe europiane. Lavdi të përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe heroit legjendar, komandant Adem Jasharit.