Sot më datë 30.06.2020 u zhvillua takimi i Task-Forcës Vendore në nivel Qarku, për analizën 6-mujore të punës së kryer, në lidhje me parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë takim morën pjesë: Dhimitraq Ziu, Zv/Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Nertila Ndreu, N/Kryetare e Këshillit të Qarkut, N/kryetarët e Bashkive Kamëz dhe Kavajë, Shefi i Sektorit të Emergjencave Civile të Bashkisë Tiranë, si dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet, anëtarë të Task-Forcës Vendore. Fillimisht u evidentua intensifikimi i takimeve të zhvilluara në kuadrin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, megjithë situatën e vështirë të krijuar për arsye të pandemisë.
Më pas u paraqit një prezantim i shkurtër nga Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimeve, për periudhën 6-mujore të punës, mbi rezultatet e arritura, raportimet, problematikat, si dhe detyra dhe konkluzione për të ditët në vijim. Më tej përfaqësues të TASK-FORCËS VENDORE diskutuan për realizimin e detyrave për këtë 6-mujor dhe zbatimin e këtij Plan-Veprimi për muajt në vazhdim.
Duke pasur në qendër të vëmendjes se viti 2020 është viti i fundit i Planit të Veprimit kundër Kanabisit, u la si detyrë të vazhdohet puna për intensifikimin e kontrolleve në terren dhe sensibilizim të banorëve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale për kultivim të bimëve narkotike. Objektivi kryesor është 0 rrënjë bimë narkotike në territorin e Qarkut Tiranë.