Ditën e enjte, datë 5 korrik 2018, përfaqësues të administratës së Prefektit Tiranë morën pjesë në takimin e organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila, në bashkëpunim me përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim, zhvilloi takimin konsultativ, me grupet e interest, mbi draftin përfundimtar të Master Planit të Mbetjeve të Ngurta.
Ky takim kishte si qëllim konsultimin në lidhje me kryerjen e një Studimi Sektori mbi nevojën e investimeve në menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta dhe masave rajonale të investimit për zonën e mbetjeve Tiranë – Durrës. Çështjet më rëndësishme që u diskutuan në këtë takim kishin të bënin me metodologjinë dhe teknologjinë e duhur për investime të ardhshme në sektorin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta; kostot e tarifat të duhura si dhe ndarja e tyre; alternativat teknologjike për menaxhimin e mbetjeve të ngurta; bashkëpunimit ndërbashkiak për menaxhimin e mbetjeve dhe identifikimin e zonave të mbetjeve; stacionet e transferimit për transport eficent në distancë të largët dhe përgjegjësitë e bashkive në ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve.