Sot, më datë 05.08.2019, Prefekti i Qarkut Tiranë, Znj. Suzana Jahollari, në pamundësinë e thirrjes së mbledhjes së parë nga sekretari i Këshillit Bashkiak dhe në mbështetje të pikës 2 neni 48, si dhe në prezencë të mediave, zhvilloi konstituimin e Këshillit të ri bashkiak si dhe Kryetarit të ri të Bashkisë Vorë, ku ishin të pranishëm përfaqësuesi politik i zonës Z. Ervin Bushati, deputeti Z.Sadi Vorpsi, si dhe anëtarët e këshillit të ri bashkiak. Proçesi i ceremonisë së konstituimit u zhvillua në Ambjentet e Prefekturës së Qarkut Tiranë, ku fjala e hapjes u mbajt nga Znj. Jahollari dhe në zbatim të ligjit fjala u pasua tek këshilltari më i vjetër i këshillit të Bashkisë Vorë, i cili vijoi me proçedurën normale të votimit për zgjedhjen e kryetarit të këshillit të Bashkisë si dhe me zgjedhjen e nënkryetarëve të tij. Ceremonia vijoi me betimin si dhe fjalën përshendetëse nga kryetari i Bashkisë Vorë, Z. Agim Kajmaku. Në përfundim të ceremonisë Znj.Jahollari uroi Z.Kajmaku për detyrën e re sa të vështirë aq edhe fisnike në shërbim të komunitetit të tij, në mënyrë që të shpërblejë besimin e popullit i cili më datë 30 Qershor , me anë të votës shprehu besimin e plotë për Z.Agim Kajmaku.