U zhvillua sot, datë 10 tetor 2018, në Sallën e Mbledhjeve të Prefektit të Qarkut Tiranë, takimi me përfaqësues të institucioneve lidhur me sigurinë e digave dhe dambave të rezervuareve. Morën pjesë përfaqësues nga institucione të rëndësishme si Komiteti Kombëtar i Digve të Mëdha, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës si dhe 5 bashkitë e Qarkut Tiranë.
Boshti i takimit ishte ngritja e Grupit të Punës për Monitorimin e Digave dhe Dambave, sepse siç e theksoi edhe Prefekti, Znj. Suzana Jahollari, çështja e sigurisë së digave është lënë e patrajtuar prej vitesh nga institucionet përgjegjëse. Nisma që po ndërmerr institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë, bëhet për t’i paraprirë situatave eventuale të dimrit, për të shmangur situatat e përmbytjeve dhe pasojat e padëshirueshme të tyre.
Në takim u vendos përbërja e Grupit të Monitorimit, data e nisjes së fushatës së monitorimit të të gjithë ujëmbledhësve, detaje rreth kalendarit të lëvizjeve të Grupit të Monitorimit, pjesa dokumentare etj. U vendos që aktiviteti i Grupit të Punës të startojë ditën e premte, datë 12.10.2018.